Rishtazi një lexues në faqen tonë në Facebook na pyetni kështu: “Ku qëndron ndryshimi midis platformës ‘Blogger.com’ që ofron faqe falas dhe një serveri që blihet me lekë”?
Në këndvështrimin tonë, pyetja është mjaft e qartë dhe dilema është e thjesht; pse duhet të paguaj për një shërbim hostimi kur shumë prej gjërave që dua të bëj mund t’i realizoj lehtësisht nëpërmjet një shërbimi falas siç është platforma e Google – Blogger.com apo WordPress.com që ofron edhe një nga platformat më të mira CMS për publikimet në internet.
Nga eksperienca mund të themi se shumica e njerëzve e fillojnë aventurën e tyre online duke krijuar një faqe falas nëpërmjet platformave si ato që përmendem pak më sipër. Por me kalimin e kohës, rritjen e nevojave si dhe aftësive teknike, shumica i kalojnë faqet e tyre në platforma apo shërbime hostimi me pagesë ku më pas kanë mundësinë që të rriten dhe të përmbushin më mirë nevojat e tyre online.
Thënë ndryshe; nëse nuk keni krijuar ndonjë herë një faqe apo nuk keni shumë eksperiencë me menaxhimin e faqeve, platformat e hostimit falas, janë mjaft të mira për të krijuar ato aftësitë dhe njohuritë bazë, por nëse e keni kaluar këtë fazë apo thjesht dëshironi të prezantoheni sa më profesionalisht, atëherë duhet të kaloni në diçka me pagesë.
Blerja e një pakete hostimi është diçka relativisht e thjeshtë, dhe po ashtu është edhe krijimi apo ngritja e faqes tuaj, ndonëse kjo mund të jetë teknikisht e vështirë për disa.
Tani përtej sugjerimeve apo komenteve tona, do donim shumë të dëgjonim mendimet, sugjerimet, sfidat dhe avantazhet që kanë këto dy alternativa, pra hostimi falas dhe ai me pagesë i faqes tuaj.
Mirëpresim komentet nga eksperienca juaj.